Korab Sejdiu, kandidati i AKR-së për garën e Prishtinës, dy vjet më parë e ka përpiluar me duar të veta lëndën e cila është dërguar në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin e Behgjet Pacollit nga pozita e presidentit të Kosovës. Pacolli thotë se është vlerë e shtuar fakti që Korab Sejdiu ka marrë pjesë në hartimin e lëndës për Gjykatën Kushtetuese ndaj tij.
Korab Sejdiu në cilësinë e avokatit derisa ishte anëtar i Këshillit Drejtues të LDK-së si dhe këshilltar i ish presidentit Fatmir Sejdiu, është njëri nga hartuesit e lëndës, e cila përmbante kundërshtimin e procedurave ligjore në bazë të të cilave Behgjet Pacolli, lideri i AKR-së, ishte zgjedhur president.
Dy vjet pas, shkruesi i lëndës kundër Pacollit është kandidat i AKR-së për kryetar të komunës së Prishtinës në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, shkruan Zëri.
Presidenti i AKR-së, Behxhet Pacolli thotë se është vlerë e shtuar fakti që Korab Sejdiu ka marrë pjesë në hartimin e lëndës për Gjykatën Kushtetuese ndaj tij.
Ai thotë se kurreshtja për të njohur Korabin, i ka lindur që nga ajo kohë.
“Nuk kam asnjë dozë inati, përkundrazi. Simpatia ndaj tij më është shtuar ndoshta mu për këtë çështje. Unë, vlerat njerëzore dhe profesionale gjithmonë i kam renditur para çdo interesi. Është fat edhe për mua dhe AKR-në, që me Korabin kemi vizione të përbashkëta strategjike dhe menaxheriale”, thotë Pacolli për Indeksonline.
I pari i Aleancës Kosova e Re, thotë se çuditet paksa me insistimin e disa njerëzve që kërkojnë nxitjen e përçarjes në këtë drejtim, dhe kjo sipas tij, tregon nivelin e vetëdijes së disave.
“Këtyre tentativave ju përgjigjem se kjo çështje, bile e blindon marrëdhënien time bashkëpunuese me Korabin dhe e rendit atë edhe më lart sa I përket vlerave profesionale”.
Pacolli shprehet se AKR-ja është në formim e sipër të ekipit fitues të Korabit, që do të përbëhet po ashtu nga njerëzit më profesionistë dhe të shquar, që nuk i takojnë vetëm AKR-së, por do të ketë edhe nga partitë tjera.
Për Korab Sejdiun thotë se është një vlerë që i ofrohet qytetarit, dhe që bashkërisht me të gjithë do ta qojnë përpara dhe ta realizojmë ëndrrën se në Prishtinë dhe në Kosovë mund të jetohet shumë më mirë.
“Më ka ndodhur në të kaluarën në punën e tij, që në përballje ndërkombëtare të arbitrazhit, kompania ime që të përballej me një avokatë të fortë në Paris, I cili përkundër faktit se lëndën e kishte në disfavor, arriti që ta fitonte. Megjithatë mua, nuk më ka penguar asgjë, që menjëherë pas përballjes ta kontaktoj atë dhe ta bind që ai të punoj për kompaninë e familjes time, gjë që e bën edhe sot”, përfundon Pacolli